Lajme Shqip Saturday, 08 October 2011 08:41

Tiranë – Deputetët socialistë, Arben Malaj e Andis Harasani, të njohur për qëndrimin e tyre ndryshe në selinë rozë, u takuan në mbrëmje me të rinj dhe mbështetës të tyre në Vlorë, ku prezantuan qëndrimin dhe mendimin e tyre lidhur me zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, duke kërkuar që kjo forcë politike të mos radikalizohet në veprimet e saj.

Deputetët Malaj dhe Harasani u shprehën nga qyteti bregdetar se PS nuk duhet të bëhet OJF, që herë bojkoton e herë hyn në grevë urie.

“Jemi me energji pozitive, por kemi tre vjet që kemi ngecur në një krizë të rëndë politike. Qendrimi i pritshëm i Brukselit pas disa ditësh do të jetë një notë katër, gjë që ngarkon me përgjegjësi politikanët shqiptarë, të cilët janë të orientuar nga mbijetesa politike”, u shprehën deputetët socialistë.

Për dy deputetët e mendimit ndryshe në selinë rozë, disiplina formale e PS-së nuk solli gjë tjetër veçse ndryshimet kushtetuese në Parlament, që u shoqërua me sistemin me lista të mbyllura për besnikët e partisë.

Në këndvështrimin e deputetëve Malaj dhe Harasani ka një bllokim të frymëmarrjes në strukturat bazë të Partisë Socialiste.

Malaj dhe  Harasani kanë shprehur pikëpamjen për një model të ri politik në vendin tonë 
“Duhet jo thjesht një zëvendësim karrikesh, por një ndryshim cilësor”, theksoi Malaj.

Lidhur me momentin kur po zhvillohen zgjedhjet në Partinë Socialiste, Malaj dhe Harasani kanë theksuar se nuk ka pse të mbetet PS me formula të çuditshme, ndërkohë që për mundësinë e përjashtimit të tyre nga PS, ata kanë rikonfirmuar përgjegjësinë ndaj Partisë Socialiste dhe jo ndaj individëve të caktuar.

Për Malajn e Harasanin, forca politike që ata përfaqësojnë, duhet t’i kthehet modelit ku të gjithë të respektojnë njeri- tjetrin.

Duke shfrytëzuar këtë takim, deputetët socialistë garantuan se nuk janë për një parti të re, por për një cilësi të re në Partinë Socialiste.