Tiranë – Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, zotin Jassim Mohammad Al-Kharaf, bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë.
Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut të ri e të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e marrëdhënieve shumë miqësore dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe popujve.
Al-Kharaf e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i transmetoi atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, të Madhërisë së Tij, Emirit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah si dhe princit të Kurorës.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis të dy vendeve dhe qeverive, të bazuara mbi miqësinë tradicionale mes kombit shqiptar dhe atij kuvajtian.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë së tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme dhe ndihmës gjeneroze, që madhëria e tij Emiri i Kuvajtit dhe qeveria e Kuvajtit, përmes fondit kuvajtian, i kanë akorduar Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, për realizimin e projekteve të rëndësishme.
Një ndër këta projekte, për të cilin është punuar intensivisht, është rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej”. Duke i ripohuar edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për donacionin bujar që Emiri i Kuvajtit i dhuroi Shqipërisë dhe qytetarëve të Tiranës, Kryeministri Berisha e garantoi zotin Al-Kharaf, se qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtësisht me bashkinë e Tiranës, për të realizuar sa më shpejt këtë projekt të rëndësishëm, për t’u rikthyer qytetarëve nyjen nevralgjike të qendrës së Tiranës në formën më dinjitoze që ata meritojnë.
Në takim u konfirmua gjithashtu vendosmëria dhe angazhimi i plotë i të dy vendeve për të promovuar bashkëpunimin më të mirë në fushat me interes reciprok, si atë të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në fushën e turizmit dhe nxitjen e investitorëve kuvajtianë për të investuar në projekte të rëndësishëm në Shqipëri.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu mikun kuvajtian me reformat e mëdha të ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e klimës më të mirë për bizneset dhe shprehu vlerësimin për një sërë investimesh të rëndësishme të investitorëve kuvajtianë, të cilat tashmë janë kthyer në histori suksesi për vetë ata, por edhe për Shqipërinë, dhe e garantoi se çdo investitor kuvajtian do të gjejë tek qeveria shqiptare një partner dhe mbështetës të palëkundur dhe të besueshëm për çdo projekt të tyre në Shqipëri.
Z. Al-Kharaf vlerësoi arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se të gjithë miqtë e Shqipërisë ndihen krenarë për atë çka Kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare, ka bërë dhe po bën për të shndërruar Shqipërinë dhe promovuar imazhin e saj në botë.
Friday, 07 October 2011 18:35