Mitrovicë – Qeveria e Beogradit nuk po rrin duarkryq. Derisa grupet kriminale serbe barrikadojnë rrugët ekzistuese në veri dhe KFOR-i i ka mbyllur dy pikat kufitare për qarkullimin e krimit të organizuar dhe të kontrabandës, Qeveria e Beogradit, po ndan fonde për hapjen e rrugëve ilegale alternative në veri të Kosovës, ka transmetuar portali Tema Online.
Burime të informuara mirë të këtij mediumi, në Beograd dhe në Veri të Kosovës, njoftojnë se kanë informacione të besueshme se Qeveria e Serbisë, përkatësisht, e ashtuquajtura Ministri Serbe për Kosovën, është duke e financuar hapjen, ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve ilegale alternative në veri të Kosovës.
Po sipas burimeve të portalit, vendimi për financimin dhe ndërtimin e këtyre rrugëve është marrë në një takim në Beograd, javë më pare, dhe se për këtë drejtpërdrejt ka qenë i njoftuar edhe presidenti serb, Boris Tadiq.
Por, burimi nuk ka mundur të saktësojë koston e këtij financimi të Qeverisë së Serbisë. “Absolutisht, është e domosdoshme që Qeveria e Beogradit duhet t’i financojë strukturat paralele, veçanërisht tani kur zgjedhjet në Serbi janë në prag”, ka transmetuar burimi t’i ketë thënë njëri ndër njerëzit e afërt me këtë takim, dhe i njohur mirë me vendimin në fjalë.
Sipas burimit të portalit, ndërtimi i rrugëve alternative në veri të Kosovës, bëhet me qëllimin final që pjesa e veriut të Kosovës të ketë mundësi të komunikimit në cilindo variant me Serbinë dhe që, në fund, ajo të ndahet dhe të bashkëngjitet me Serbinë.
Ndërtimin e rrugës alternative në Jarinjë, jo shumë larg bazës së KFOR-it po e bën Kompania ‘MAB’ e Borko Milkoviqit, nga Zveçani, e cila ka afat që atë ta lëshojë për qarkullim brenda një muaji. Rruga e re, që është duke u ndërtuar në G1 në Jarinje, niset rreth një kilometër larg pikës kufitare dhe lidhet me magjistralen e Ibrit, në territorin e Serbisë, diku rreth 500 metra mbi Rudnicën, ka saktësuar burimi i “Tema Online”.
Në anen tjetër, edhe rruga alternative në G31, në Bërrnjakë, tashmë është lëshuar për qarkullim, kurse të mërkurën, në orët e vona, ka përfunduar asfaltimi i saj.
Pos këtyre dy rrugëve, tani është në qarkullim edhe rruga tjetër, nga fshati Leshak, që kalonë në krahuan e majtë nëpër Podstenje, Rvatska, Kalin, në fshtin kufitar Tresava e që depërton në territorin e Serbisë, pikërisht në rrugën Rashkë-Novi Pazar.
Kjo rrugë është duke u shfrytëzuar nga grupet kriminale serbe dhe është duke u ruajtur nga persona të armatosur, 24 orë në ditë.
Ndërsa, një burim tjetër i portalit ka thënë se në këtë rrugë është duke u bërë e tërë kontrabanda, që nga derivatet e naftës, armët, eksplozive e deri te droga që është duke qarkulluar me të madhe në këtë pjesë të Kosovës. (Tema Online)
Friday, 07 October 2011 17:16