Lajme Shqip Friday, 07 October 2011 16:26

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektpropozimin e qeverisë për përcaktimin e përgjegjësive dhe të procedurave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për reagime të shpejta jashtë vendit, në raste emergjente.

Sipas ligjit të FSK-së, dërgimi i trupave të saj jashtë vendit, duhet të diskutohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës e më pas kjo duhet të urdhërohet nga presidenti i vendit. Ministri i FSK-së, Agim Çeku, tha se këto janë situata të paparashikuara, andaj thirrja e një seance të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me ketë çështje do të mund të vononte e pastaj të pamundësonte pjesëmarrjen e FSK-së në situata emergjente jashtë vendit.

“Qeveria propozon që si masë e përkohëshme, që ta tejkalojmë këtë boshllëk ligjor, ta nxjerrim një vendim dhe t’i definojmë procedurat e zbarkimit të FSK-së jashtë vendit, vetëm e vetëm në situata emergjente, kur kërkohet reagim i menjëhershëm”, tha ai.

Projektpropozimi si i tillë është përkrahur nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por është kërkuar që kjo të jetë një zgjidhje e përkohëshme, ndërkohë që duhet të punohet sa më shpejtë të jetë e mundur që kjo të rregullohet me ligjin e FSK-së.

Por, deputetët e Vetëvendosjes thanë se Qeveria e Kosovës nuk e ka kompetencën e zbarkimit të trupave te FSK-së as brenda territorit të shtetit të vet.

Sipas Albin Kurtit, kjo është një politikë e jashtme dhe e panevojshme për këtë situatë.

“Do të ishte shumë më mirë nëse do ta kishim FSK-në së pari ushtri në Kosovë e më pastaj ushtri që shkon në misione të tjera”, tha ai.

FSK po vazhdon të përmbushë objektivat e lidhura me veprimet e saj operacionale sipas standardeve te NATO-s. (LajmeShqip.com)