Tiranë – Kompanitë e sigurimeve do të mbikëqyren në mënyrë më të rreptë. Anxhela Dervishi, drejtore e Raportimit dhe Analizës në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, thotë se sipas metodologjisë së mëparshme, Autoriteti ndërhynte vetëm pasi kishte konstatuar një shkelje të parametrave
të detyrueshëm financiarë.
Me metodologjinë e re, të miratuar dje, Autoriteti do t’i mbajë nën mbikëqyrje të vazhdueshme kompanitë dhe do të ndërhyjë sa herë që konstaton një nivel të rritur të riskut. Kjo mënyrë e re mbikëqyrjeje do të kërkojë standarde më të larta edhe nga drejtuesit e kompanive të sigurimit. Aktualisht, niveli dhe kualifikimi profesional i drejtuesve të kompanive të sigurimeve është mjaft i diskutueshëm, sidomos nëse e krahasojmë me sistemin bankar.
Forma e re e mbikëqyrjes pritet të nxisë rritjen e nivelit menaxherial të kompanive. Forcimi i mbikëqyrjes së kompanive të sigurimit është tendencë globale, e dalë si domosdoshmëri pas krizës financiare.
Në Shqipëri tregu i sigurimeve nuk pati asnjë pasojë direkte nga kriza, por kjo i detyrohet më shumë prapambetjes dhe sofistikimit të ulët të tregut, sesa standardeve të menaxhimit dhe qeverisjes së këtyre kompanive. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 October 2011 15:45