Kajro – Lideri i rrëzuar libian Moamer Gadafi në një audio porosi deklaroi se liderët e vendeve në zhvillim, të cilët i njohën autoritetet e reja të Libisë, do të goditen nga fati i tij, transmetuan agjencitë botërore.
“Nëse fuqia e flotiljeve ndërkombëtare jep legjitimitet, atëherë sundimtarët e Botës së tretë duhet të përgatiten”, tha Gadafi, duke e pasur parasysh mbështetjn ushtarake të NATO-s për Këshillin Kalimtar Nacional (KKL).
Gadafi deklaratën e dërgoi përmes një audio porosie, të emetuar nga televizioni sirian Ar Rai.
“Ata të cilët e pranojnë këtë porosi le të përgatiten për krijimin e këshillave kalimtarë, të imponuar me fuqinë e flotiljeve, kështu që prej tani t’i ndërrojnë një nga një”, tha Gadafi.
Ai i bëri thirrje libianëve për protesta kundër sundimtarëve të rinj dhe kundër “kushteve të padurueshme” në Libi.
“I bëj thirrje popullit libian, burrave dhe grave, të dalin dhe të demonstrojnë me miliona në sheshet dhe rrugët dhe në të gjitha qytetet”, tha Gadafi dhe shtoi se KKL nuk ka legjitimitet.
Friday, 07 October 2011 09:01