Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 14:47

Tiranë- Kuvendi ka përfshirë sërish në axhendën e seancës së radhës të së enjtes projektligje, miratimi i të cilave kërkon 3/5 e votave, megjithë mungesën deri tani të konsensusit maxhorancë-opozitë.

Rendi i ditës i punimeve të seancës së nesërme, i publikuar zyrtarisht nga zyra e shtypit e Kuvendit, parashikon një numër pr/ligjesh të tjera, të shqyrtuara së fundi në komisionet parlamentare.

Një javë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i dorëzoi maxhorancës publikisht paktin prej 10 pikash të propozuar nga opozita për zgjidhjen e krizës politike.

Por, prej një jave asgjë nuk ka ndryshuar dhe vijon të mbetet në fuqi kundëroferta e maxhorancës, e cila pranon të diskutojë vetëm për tri nga këto dhjetë pika: reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit nga opozita.

Pavarësisht, nga kjo situatë, Partia Demokratike duket se po tenton sërish të vërë në provë opozitën kur e fton atë të votojë nesër disa ndryshime në katër kode,(kodin penal, kodin ajror, kodin detar dhe rrugor), si dhe pr/ligjin “Për gjykatën administrative”.

Kjo është seanca e fundit e Kuvendit para publikimit nga Komisioni Europian, të mërkurën e ardhshme, më 12 tetor, të progres-raportit për Shqipërinë.