Treshja e Ambasadorëve Aleksandër Arvizu, Etore Sekui dhe Eugen Volfarth mbërritën në mesditë në selinë rozë për të diskutuar me liderin e opozitës Edi Rama për situatën e krijuar në vend në prag të progres-raportit për Shqipërinë në 12 tetor.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet mes palëve është edhe pakti i ofruar nga lideri i opozitës dhe refuzimi që Berisha i ka bërë këtij pakti.
Pas takimit ata kanë dhënë nga një prononcim të shkurtër për mediat.
Ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth është shprehur se 10 pikat e propozuara nga Partia Socialiste për “paktin e integrimit” janë një pikënisje e mirë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ne mbështesim palët për një dialog në ndihmë të integrimit. 10 pika janë një rrugë e mirë për dialog”, tha kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Volfarht shtoi se propozimet për dialog duhen marrë parasysh nga palët e interesuar, duke etiketuar kështu PD, e cila ende zyrtarisht nuk ka një përgjigje për propozimet e PS-së.
Ambasadorët e BE-së Etore Sekui dhe ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu janë shprehur se kanë diskutuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri ndërsa prononcimi i tyre në fund të takimit ishte fare i shkurtër.
Wednesday, 05 October 2011 13:48