Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek nga afër zhvillimin e procesit të censusit.
Fatkeqësisht, ky census sipas PDIU ka nisur me parregullsi teknike në të gjithë vendin, duke e rrezikuar realizimin e tij sipas standardeve dhe kritereve ligjore. PDIU vëren se plotësimi i formularit të censusit me laps, mosparaqitja e regjistruesve në zonat e tyre dhe probleme të tjera teknike që janë pasqyruar në media rrezikojnë zhvillimin e këtij procesi.
Strukturat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në rrethe kanë vërejtur se disa rregjistrues nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë sqaruar ligjin për regjistrimin gjatë procesit.
Në rastin e pyetjes mbi kombësinë, disa rregjistrues të patrajnuar siç duhet, u kanë thënë të pyeturve se deklarimi është i lirë pavarësisht të dhënave që kanë në certifikatat personale.
PDIU i bën thirrje INSTAT-it që të marrë masa për të gjithë regjistruesit, të cilët nuk e kanë kuptuar frymën e ligjit.
Ligji përcakton qartë se të dhënat që japin qytetarët, qoftë për pyetjet e detyrueshme dhe jo të detyrueshme duhet të jenë të sakta dhe në përputhje me të dhënat zyrtare që ka shteti shqiptar.
Wednesday, 05 October 2011 12:57