Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 12:56

Washington – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten të shqetësuara për shkak të bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës, thuhet në qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të bërë publik përmes zëdhënëses Viktoria Nuland.

Nuland ka thënë se qëndrimi amerikan është se KFOR-i duhet të përgjigjet në çdo bllokadë që iu bëhet.

“Kështu edhe ka ndodhur, ndërsa veprimi i KFOR-it ka pasur rezultat qetësimin e situatës”, ka vlerësuar ajo. Departamenti Amerikan i Shtetit është deklaruar edhe lidhur me procesin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Zëdhënsja, Viktoria Nuland, në një konference për gazetarë, në Washington, ka theksuar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara për zgjidhjen e problemeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Serbi.

“Para incidenteve të fundit, Kosova dhe Serbia, përmes procesit të dialogut, kishin filluar të bënin një përparim të dukshëm. Qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që të dyja vendet t’i kthehen këtij procesi, pasi kjo është në interesin e të dyja vendeve”, ka vlerësuar zyrtarja për informim nga Departamenti Amerikan i Shtetit. (LajmeShqip.com)