Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 11:28

Tiranë – Pas pak javësh pritet të nisin në Shqipëri hetimet rreth pretendimeve të ngritura nga eurodeputeti Dick Marty se në vendin tonë është kryer trafikim i organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX, Xavier Bout de Marnhac gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Zv.kryeministrin dhe njëherësh ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto.

Sipas tij tashmë është krijuar një ekip i posaçëm ndërsa theksoi se kryeprokurori që udhëheq hetimet do të vizitojë në një të ardhme të afërt Tiranën.

Ai gjithashtu falenderoi qeverinë shqiptare për mbështjen që i ka ofruar EULEX-it për hetimet në lidhje me pretendimet e Dick Martyt.

Gjithashtu shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dënoi edhe shpërthimin në Mitrovicë ndërsa theksoi se dhuna nuk është opsion i zgjedhjeve të problemeve por vetëm dialogu.
“Dua ti siguroj autoritetet shqiptare se Eulex po punon për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës dhe në të mirë të qytetarëve të saj” ka theksuar De Marnhac.

Nga ana e tij Zv. kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Haxhinasto ofroi edhe njëherë bashkëpunimin e qeverisë shqiptare për hetimet që do të bëjë EULEX-i rreth pretendimeve të Dick Martyt.

Ai gjithashtu ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian ndërsa ka shtuar se duhet të nisë sa më shpejt edhe procesii liberalizimit të vizave për Kosovën.