Athinë – Greqia sot sërish do të paralizohet tërësisht për shkak të grevës 24-orëshe, e cila do të mbahet pas thirrjes së dy sindikatave më të mëdha në vend – të administratës shtetërore ADEDI dhe të punësuarve në sektorin privat GSEE.
Greva është organizuar si përgjigje e planeve qeveritare për uljen e mijëra nëpunësve shtetërorë, me qëllim që të përmbushen kushtet e planit shpëtues ndërkombëtar.
Për shkak të grevës komunikacioni hekurudhor do të jetë i bllokuar, ndërsa pritet të paraqiten probleme edhe në aviokomunikacionin për shkak të pjesëmarrjes së kontrollorëve të fluturimeve në protesta.
Shkollat do të jenë të mbyllura, ndërsa spitalet do të punojnë me personel të zvogëluar mjekësor.
Liderja e Partisë Komuniste Aleka Papariga bëri thirrje për pjesëmarrje masive të të punësuarve në grevë. Ajo parasheh se ulja e vendeve të punës në sektorin shtetëror do të tejkalojë 200.000.
Pas takimeve njëjavore me inspektorët nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane, Qeveria greke mori vendim për shkurtim të sektorit shtetëror përmes zhvendosjes së përkohshme të 30.000 nëpunësve në të ashtuquajtur “rezeva të punës”.
Masat të cilat do të përfshihen në buxhetin për vitin 2012 pritet t’i kursejnë Greqisl 300 milionë euro deri në vitin e ardhshëm. Transferimi në “rezerva të punës” parashikon që nëpunësit të marrin 60 për qind nga paga e tyre dhe t’u jepet afat 12-mujor që të gjejnë punë të re në administratën shtetërore, para se të marrin pushim nga puna.
Qeveria konfirmoi se dy e treta e nëpunësve, të cilët do të rrezikohen nga kjo masë, do të jenë të moshës pothuajse afër pensionimit.
Autoritetet greke publikuan edhe plane për tatime dhe taksa të reja, të cilat duhet të sigurojnë 7,1 miliardë euro për buxhetin për vitin 2012.
Wednesday, 05 October 2011 08:33