Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 20:45

Beograd – Vuk Drashkoviq, lideri i Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes (SPO), është politikani i parë serb që ka pranuar se në incidentin e Jarinjës, ushtarët e KFOR-it kanë qenë të provokuar nga grupe esktremistësh serbë, më parë se të ndodhë kundërpërgjigjia e tyre.

Portali LajmeShqip.com, gjatë raportimit për zhvillimet në veri të Kosovës, pati plasuar të vërtetën se ushtarët e KFOR-it kanë qenë të provokuar paraprakisht, kur një ekstremist serb kishte synuar t’ia rrëmbejë armën një ushtari amerikan, ndërkohë që të tjerët me kamionë kishin sulmuar drejt pikës së ushtarëve të KFOR-it. Në edicionin live, portali pati raportuar, më 27 shtator 2011, në orën 18:15, se “një grup serbësh nga bandat e Zvonko Veselinoviqit, kanë tentuar mbrëmë vonë ta çarmatosin njërin nga tre ushtarët amerikanë të KFOR-it, në pikën kufitare të Jarinjës, për t’i marrë pastaj peng që të tre“.

Portali, gjithashtu, pati njoftuar, duke u thirrur në burimet e veta, se si u “gatua” skenari kundër KFOR-it në Beograd, të cilin mund ta lexoni këtu.

Lideri i SPO-së, duke polemizuar me politikanë të tjerë serbë, në një intervistë për B92, të martën, e ka konfirmuar këtë të dhënë, duke deklaruar se mediat serbe po e shtrembërojnë të vërtetën e asaj që po ndodh në veri të Kosovës.

Duke komentuar incidentet në Jarinjë, lideri i SPO-së ka tërhequr vërejtjen se dikush po dëshiron ta kthejë Serbinë në vitet ’90.

Ai ka thënë se shërbimet informative, si ato ushtarake dhe civile, në komisionin e sigurisë të Kuvendit të Serbisë, duhet ta thonë të vërtetën. Por, ka thënë Drashkoviq, popullatës kjo e vërtetë nuk po i servohet. Në media, ka thënë ai, është raportuar se KFOR-i, pa qenë i provokuar nga askush, ka shtënë me armë zjarri në popullatën duarthatë. Ai e ka demantuar këtë pasqyrim në opinionin e Serbisë, duke thënë se “aty (në Jarinjë, v. e portalit) është hapur rruga alternative, që e ka gërryer bazën e KFOR-it, i cili më pastaj ka vendosur tela gjemborë dhe e ka mbyllur atë kalim“. Pas kësaj, ka thënë Drashkoviq, “aty është paraqitur një grup njerëzish që me kamionë ka mësyer telat dhe ka ardhuar deri tek kontakti fizik, kur një ushtari amarikan i është marrë pushka nga ana e serbëve“.

Pastaj, kanë pasuar gjuajtjet e shok bombave nën kamion, dhe gjujtjet me armë, me municion luftarak, nga të dyja anët, ka potencuar Drashkoviq.

Ai i ka ftuar përgjegjësit që “të tregojnë të vërtetën për ngjarjen dhe jo ta nxisin popullin dhe ta mbushin atë me urrejtje, që të skuqet para UN-it“.

Lideri i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, në pjesën tjetër të intervistës, ka deklaruar ka frikë se nuk do të kalojë as një muaj, kur në Kosovë do të persëritet skenari, siç ka thënë ai, i “Olujës“ (“Stuhisë“, ofensivës ushtarake të Kroacisë kundër grupeve ekstremiste serbe në rrethinat e Kninit në vitin 1991 v.j.).

Sipas tij, “ekziston një skenar që do të sjellë gjakdredhje, e cila për pasojë do të ketë kolona të traktorëve tek qytetarët serbë, që do të shkaktojë pezm tek Perëndimi“. Andaj, ka thënë ai, duhet që barrikadat të kthehen në barrikada kah bota demokratike.

Drashkoviq beson në faket se Serbia është e mposhtur. Ai ka thënë: “Ne jemi të mundur, përkatësisht, është shfrytëzuar edhe centi i fundit në atë të fitores së mbretërisë“.

I pari i SPO-së nuk i ka kursyer as kritikat ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, për deklaratat, në të cilat ai dje e ka quajtur Drashkoviqin “zëvendës dhe pasues të Ambasadorit rus në Beograd, Konuzin.“ (Videoskandali i diplomatit rus në Beograd, Konuzin)

Drashkoviq ka thënë, gjithashtu, se në bazë të mendimit të tij, “Daçiq ka bërë skandal, kur ka kërkuar në konferencë që Kosova të ndahet“.

“Sikur se e dimë të gjithë, ajo që ne e duam është e pamundur“, ka thënë ai.

Sipas iluzioneve të Drashkoviqit, “për ndarjen e Kosovës, ndoshta mund të flitet pas 5, 10 apo 15 vitesh“, kur, sipas tij, „si temë do të jetë edhe ndarja e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ajo e Maqedonisë“.

Lideri i SPO-së ka thënë se në zemer e ka Kosovën, por, ka shtuar ai, “ka ardhur koha që të kërkojmë falje me zemër, të ballafaqohemi më të vërtetën“, pasi “kishat dhe populli janë në Kosovë dhe ne duhet të udhëheqin një politikë drejt Bashkimin Evropian si dhe t’i kërkojmë standardet e BE-së për Kosovën“.

Në intervistë, Drashkoviq ka thënë, gjithashtu, se për Serbinë një pjesë e Planit të Ahtisarit është e papranueshme. (LajmeShqip.com)