Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 18:02

Tiranë – Pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe përgjegjësia e aktoreve ndaj ligjit, janë themelore për qeverinë shqiptare, deklaroi sot, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi në Forumin Ministerial të BE – Ballkani Perëndimor për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësisë,  organizuar nga Presidenca polake në Ohër të Maqedonisë.

Pjesëmarrës në këtë forum ishin Komisionerja e BE-së, Cecila Malmstron dhe ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor.

“Ka ikur ajo kohë kur në krye të gjykatave ishin politikanë. Tashmë prurjet në gjyqësor do të jenë vetëm nga Shkolla e Magjistraturës. Nuk do të ketë më deputetë pjesëtarë në gjykata”, tha Halimi.

Ministri Halimi, duke u ndalur tek reforma në sistemin gjyqësor, theksoi se, Ministria e Drejtësisë ka në plan hartimin edhe miratimin e  një paketë ligjesh në parlament  për rritjen e pavarësisë”.

Sa i përket transferimit dhe promovimit të gjyqtarëve, një çështje shqetësuese dhe delikate për gjyqësorin, ministri u shpreh se, është një proces në të cilin po punohet nga KLD. Ministri Halimi theksoi gjithashtu faktin se, ligjet për reformën në drejtësisë si dhe vendimet që prekin rritjen e  rrogave të gjyqtarëve nuk bëhen pa vullnetin e opozitës.

Kreu i ministrisë së Drejtësisë, Halimi u shpreh edhe për çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, duke deklaruar se politika do të këtë zero influencë në zgjedhjen e tij.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Halimi vuri ë dukje angazhimin e dikasterit të tij për përmirësimin  e infrastrukturës të sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se brenda vitit që vjen do të nisë puna për ndërtimin e pallatit madhështor të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë dy ditëve të zhvillimit të Forumit zhvilloi edhe një takim dy palësh me Ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, të cilit i  propozoi ngritjen e një grupi pune për nënshkrimin e një  marrëveshje ndërkombëtare, me qëllim rritjen e efiktivitetit të luftës ndaj krimit të organizuar, si një qëllim i përbashkët mes dy shteteve.