Prishtinë – Policia e Kosovës ka kryes bastisje dhe konfiskime në një shtypshkronjë në Fushë-Kosovë, në afërsi të Prishtinës, me dyshimin e falsifikimit të patent-shoferëve.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ditë më parë ka pranuar një informacion për dyshim se në Qendrën e patentë shoferëve në Prishtinë, në Ministrinë e Infrastrukturës, po ndodhin raste të “Shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit”.
Me të marrë këtë informacion hetuesit policorë nga kjo drejtori kanë filluar analizimin e kësaj informate dhe dje (03.10.2011) rreth orës 12:30, me autorizimin e Prokurorit të Prokurorisë Komunale të Prishtinës kanë bërë kontrollimin me ç’rast kanë sekuestruar disa dokumente dhe prova të dyshuara për falsifikim, në një shtypshkronjë në Fushë Kosovë, ka bërë të ditur policia e Kosovës, në një komunikatë për shtyp.
Pas ndërmarrjes së këtyre veprimeve me autorizimin e prokurorit përkatës hetuesit policorë nga kjo drejtori kanë kontaktuar me qendrën e patentë shoferëve në Prishtinë ku gjatë kontrollit kanë hasur në po të njëjtat dokumente të dyshuara dhe me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës është kryer kontrollimi dhe mbyllja e Qendrës së patentë shofereve në Prishtinë, deri në vendimin e ardhshëm të kësaj Prokurorie.
Ndërkohë, sot, më 04.10.2011 është marrë autorizimi nga prokuroria përkatëse për zhvillimin dhe vazhdimin e hetimeve të mëtutjeshme, përfundon kumtesa e policisë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 October 2011 16:29