Fier- Kodiku i Fierit, pjesë e fondit të 488 kodikëve të Shqipërisë, i përdorur gjatë viteve 1815-1843, ka shërbyer për të shkruar aktet e fejesës së banorëve të krishterë të Myzeqesë, si dhe fshatrave që shpirtërisht ushqeheshin nga Manastiri i Shën Kozmait.

Sokol Cunga, specialist në Arkivin Qendror të Shtetit, tha se kodiku tregon se banorët e Myzeqesë përpara se të lidhnin fejesat mes të rinjve, shënonin kontratat paramartesore në një regjistër. Në përmbajtjen e këtij kodiku gjenden rreth 315 akte paramartesore në formën e një akti juridik.
Aty janë të regjistruar emrat e palëve që lidhnin miqësi, premtimet për dhuratat që ofrojnë familjet e djalit për vajzën dhe anasjelltas.
“Aktet janë të shkurtëra dhe të ngjashme me njëri-tjetrin. Ajo që ndryshon, janë vetëm emrat e pjesëmarrësve, emrat e personave që lidhin kontratën dhe emrat e zonave nga të cilat vijnë”, tha Cunga.
Specialisti i arkivit bëri të ditur se në këta kodikë ka informacion për emrat e veshjeve, kohën e përdorimit të tyre, banorët dhe vëndet ku banonin ata, emrat dhe mënyrën si përdoreshin këta emra për kohën.
“Në përgjithësi ky kodik na jep informacion të hollësishëm për jetën e përditëshme të banorëve myzeqarë, duke u shndërruar në një memorial të vlerave të trashëgimisë kulturore”, tha ai.
Kodiku ka 96 fletë të përmasave 15.5cm x 22,5 cm, të shkruara nga të dyja anët me shkrim dore dhe është përdorur gjatë viteve 1815 -1843.
Tuesday, 04 October 2011 14:59