Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 14:19

Kryeministri Berisha priti në një takim një Delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga z. Roberto Battelli, Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë për Evropën Juglindore.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e OSBE-së, Prezencës së saj në Tiranë, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR, si në procesin e reformës zgjedhore, ashtu edhe në monitorimin shumë profesional të zgjedhjeve në Shqipëri.

Në takim u theksua rëndësia e adresimit të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore  të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike.

Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.