Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 13:25

Pragë – Dukurinë dhe konceptin e eurozonës dhe valutës së përbashkët evropiane sërish ashpër i kritikoi presidenti çek Vaclav Klaus.

Sipas tij, problemet vijuese të vendeve të cilat e përdorin valutën e vetme evropiane, euron, tregoi se eurozona që në fillim ishte projekt me mangësi.

Klaus,  gjithashtu, bëri thirrje për zgjidhje “pa kompromis dhe dinjitoze” të situatës rreth Greqisë, e cila është në krizë të thellë debitore dhe e “tërheq” eurozonën në probleme ekonomike.

“Madje edhe si jo-anëtare e eurozonës me shqetësim të madh i vërejmë problemet e saj, të cilat ishin evidente dhe të pashmangshme një kohë të gjatë, për shkak se kjo ishte nga fillimi projekt ‘problematik'”, deklaroi Klaus, i cili është eurospektik dhe kritik i njohur i disa koncepteve kyçe të Bashkimit Evropian.

“Krijimi i valutës së përbashkët evropiane nuk ishte në asnjë mënyrë domosdoshmëri, ndërsa siç tregon realiteti gjatë viteve të fundit nuk ishte as hap i mençur”, tha Klaus.

Presidenti i Çekisë është një prej mbështetësve të cilët kërkojnë zgjidhje të përshpejtuar të situatës në Greqi, e jo prolongim të problemit.