Tiranë – “Dialogu politik duhet të bëhet mbi çështje të arsyeshme, ai duhet të jetë i hapur, pa parakushte dhe të zhvillohet brenda institucioneve”, tha sot përfaqësuesi special i Asamblesë Parlamentare të
OSBE-së për Europën Juglindore, Roberto Battelli, gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar misionin dhe kontributin në zgjedhjet e 8 Majit të OSBE/ODIHR, theksoi se raporti i këtij organizmi, me 52 rekomandimet e tij, është baza për reformën e ardhshme zgjedhore, e cila kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile, me asistencën e OSBE/ODIHR.
Ajo theksoi se në cilësinë e kryetares së Kuvendit ka përsëritur ftesën për ngritjen sa më parë të komisionit për reformën zgjedhore.
“Bojkoti ka bërë të humbin tashmë dy vjet për nisjen e kësaj reforme. Një bllokim i ri është edhe mosvotimi i ligjeve të integrimit, që kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit dhe që janë në rend dite, në pritje të votës së opozitës. Deputetët e opozitës duhet të përmbushin misionin dhe detyrën kushtetuese në votimin e ligjeve dhe jo vetëm të votojnë prezencën e tyre në parlament”, nënvizoi Topalli.
Ajo theksoi se ka qenë gjithashtu e hapur për të diskutuar mbi rregulloren e Kuvendit, duke patur si model rregulloren e Parlamentit Europian.
Nga ana e tij z.Battelli theksoi se “reformat vijnë përmes votës”. Sipas tij, “Shqipëria ka një energji shumë pozitive dhe është një vend me perspektivë europiane”.
Tuesday, 04 October 2011 13:12