Lajme Shqip Monday, 03 October 2011 17:53

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona McIlwham.

Kryetarja e Kuvendit falenderoi ambasadoren McIlwham për mbështetjen e vazhdueshme që Britania i ka dhënë Shqipërisë.

Duke u ndalur në situatën politike, Topalli tha se “bojktoti dhe bllokimi kanë dëmtuar vendin. Ligjet që kërkojnë votën e opozitës janë gjithnjë në rend të ditës në seancat plenare dhe mosvotimi i tyre nga deputetët e Partisë Socialiste është një bllokim i ri”.

Lidhur me rregulloren e Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit tha se ne jemi të hapur për të diskutuar çdo ndryshim në përputhje me rregulloren e parlamentit europian.

Si Kryetare e Kuvendit, theksoi Topalli, “kam ftuar deputetët e  maxhorancës dhe opozitës për ngritjen sa më parë të Komisionit për Reformën zgjedhore, bazuar në rekomandimet e ODIHR”

Më tej biseda u ndal në projektin e “WESTMINSTER foundation for democracy”, një bashkëpunim mes Dhomës së komuneve të Mbretërisë së Bashkuar dhe parlamentit  të Shqipërisë.

Qëllimi i projektit është forcimi i rolit të parlamentit shqiptar në procesin demokratik. Programi përfshin takime dypalëshe mes deputetësh të parlamenteve të dy vendeve si dhe trajnime të stafit parlamentar.