Tiranë – Prokuroria e Tiranës do të shpallë më 17 tetor konkluzionet për të pandehurit e çështjes ‘Gërdeci’.
Në seancën e zhvilluar sot, përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan kohë për të përgatitur konkluzionet hetimore për çështjen, kërkesë kjo, e cila u pranua nga Gjykata e Tiranës.
Procesi për çështjen “Gërdeci”, pas një maratone seancash, tashmë i është drejtuar fundit. Në 17 tetor të këtij viti, prokuroria pritet të japë pretencën për 29 të pandehurit, në pjesën më të madhe ish funksionarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë. Më pas, Gjykata e Tiranës do të shpallë vendimin për çështjen.
Të pandehurit në këtë proces akuzohen se janë përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, ku si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë.
Monday, 03 October 2011 13:04