Lajme Shqip Monday, 03 October 2011 12:38

Tiranë- Kryetari i PS-së Edi Rama sqaroi pozicionin e tij në lidhje me paktin e ofruar për bashkëpunim ndaj mazhorancës qeverisë dhe komentoi kundërshtitë e vërejtura nga ana e kryeministrit Sali Berisha ndaj këtij dokumenti.

“Mazhoranca të  na thotë pse nuk e duan këtë pakt dhe nëse duan të shtojnë dicka le ta bëjnë”-deklaroi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.

“I kërkoj sot Saliut që të vijë në një debat përballë qytetarëve shqiptarë të cilët duan të dinë se si do të dalim nga ky udhëkryq. Europa nuk na ndihmon dot të dalim dhe ne nuk duam të qëndrojmë në udhëkryq. Shqiptarët duan të dijnë këtë se ç’farë do të ndodhë me integrimin.”-ka deklaruar më tej Rama.

Lideri socialist Rama ironizoi edhe prejardhjen veriore të kryeministrit Berisha, kur foli për përshpejtimin e hapave drejt integrimit dhe deklaroi se “integrimi nuk është si vallja e shpatave që mund të kërcehet tek pullë por një sifmoni që bëhet dyshe”.

Për Ramën është e qartë se “Saliu nuk e do statusin kandidat të Shqipërisë”. Rama thotë se ka një të vërtetë që shqiptarët nuk e dijnë në qëndrimet më të fundit të kryeministrit Sali Berisha.

Sipas tij pasi shefi i qeverisë deklaroi për 2 vjet me radhë se do të pranojë çdo propozim të opozitës për ligjin zgjedhor me kusht që ato të jenë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, Berisha ka 10 ditë që refuzon të firmosë marrëveshjen e hartuar nga dy negociatorët socialistë Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi, dokument i cili ndodhet ne tavolinën e kryeministrit sipas Ramës. “Berisha gënjen nëpër katunde, sikur opozita nuk e do reformën zgjedhore”-deklaroi më tej Rama.

Rama nuk heq dorë nga Wikileaks…

Një nga kërkesat më të debatuara nga palët në paktin e ofruar për bashkëpunim, është edhe hetimi nga prokuroria e kabllogrameve të ambasadës amerikane të publikuara nga Wikileaks.

Rama sqaroi edhe një se “kërkesa për hetimin e Wikileaks po përdoret si fije nga mazhoranca për të shpëtuar nga mbytja”- ndërsa nënvizoi se –“kërkesa jonë nuk ka lidhje me ambasadorët amerikanë.

Ne kërkojmë që publiku shqiptarë të dijë të vërtetën e atyre kabllogrameve për çdo deputet që përfshihet në ato raportime diplomatike. Prokuroria duhet të hetojë mbi ato indicie dhe të zbardhë të vërtetën”.