Tiranë – Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, konfirmoi sot qëndrimin kundër përfshirjes të etnisë dhe fesë në censusin e popullsisë, të cilat e dëmtojnë këtë proces.
“Komisioni i Censusit vendosi që në pyetësor të përfshijë edhe pyetje mbi etninë dhe fenë, të cilat janë të dëmshme për shoqërinë shqiptare. Këto pyetje ngjajnë të papërshtatshme brenda këtij kuadri ligjor dhe kushtetues të paplotë që kemi dhe me këto rrethana shoqërore, ekonomike apo rajonale që kemi në këtë moment historik”, deklaroi Idrizi gjatë një konference për shtyp.
Ndërkohë, sipas kreut të PDIU-së amendamentet e propozuara nga kjo parti do të jenë mjeti për të ndalur abuzimin me regjistrimin e popullsisë.
Për këtë arësye, vijon ai, për cilindo që të deklarojë kombësi të rremë, INSTAT është i detyruar ta korrektojë vetëdeklarimin e lirë, me të dhënat zyrtare që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.
Sa i përket deklaratave për tërheqje të qytetarëve nga ky proces Shpëtim Idrizi thotë se përmes këtij veprimi u zvogëluan shumë mundësitë që nëpërmjet procesit të censusit, të krijohej hapësira për të dhëna të rreme të minoriteteve në vendin tonë.
Një ditë më parë në të gjithë vendin nisi zyrtarisht procesi i censusit të popullsisë, i cili parashikohet të zgjasë tre javë.
Sunday, 02 October 2011 19:49