Tiranë – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth e mbështet ftesën “për një debat publik”, që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, përmes një shkrimi të publikuar në shtypin e sotëm.
“Ftesa e Ramës është një ide shumë e mirë. Mbështes dhe mirëpres çdo ofertë që sjelll dialog dhe mirëkuptim mes palëve. Është shumë e rëndësishme që të ketë dialog. Duhet të rinisë dialogu mes partive politike, dialog që duhet të zhvillohet në parlament dhe që duhet të përqëndrohet tek reforma zgjedhore”, u shpreh ambasadori Wollfarth në një prononcim për mediat të dielën.
Kryetari i opozitës, Edi Rama, në një shkrim të radhës të publikuar në shtypin e sotëm ka kërkuar një përballje publike me Kryeministrin Berisha për paktin e tij me 10 pika për integrimin e vendit.
Rama i kërkon Kryeministrit që të dalin para shqiptarëve e të argumentojnë përse duhet pranuar propozimi i PS-së dhe të ballafaqojnë alternativat e tyre. Ndërkohë, nga ana e tij Berisha i është drejtuar për një përballje publike Ramës, por që nuk janë pranuar prej këtij të fundit.
Sunday, 02 October 2011 15:19