Mitrovicë – Krimineli Zvonko Veselinoviq kontrollon tërë veriun e Kosovës, kanë bërë të ditur burime të portalit.
Ai, vetëm gjatë natës së kaluar ka futur në veri të Kosovës dhjetë kamion të ngarkuar me naftë, duke shfrytëzuar rrugën ilegale alternative, të hapur ditë më parë, për të cilën ka raportuar në vazhdimësi Portali LajmeShqip.com.
Po sipas këtyre burimeve, kjo rrugë nis diku rreth pesë kilometra në afërsi të Rashkës, në drejtim të Novi-Pazarit, dhe ngritet maleve deri në fshatin kufitar Tresavë, për të vazhduar drejt Leshakut dhe Leposaviqit të Mitrovicës.
Në vende të caktuara, kamionëve të kryekriminelit Zvonko Veselinoviq iu është hapur rruga, duke larguar barrikadat dhe duke lejuar kamionët të arrijnë në të gjitha qendrat e veriut të Kosovës.
Portali LajmeShqip.com ka raportuar edhe më parë për kërcënimet e Zvonko Veselinoviqit ndaj zyrtarëve të lartë të Beogradit dhe burimet e portalit kanë rikonfirmuar se kryekrimineli Zvonko Veselinoviq, që tashmë e kontrollon tërë veriun e Kosovës, i ka kërcënuar drejtpërdrejt me vrasje zyrtarët e Beogradit, po që se ata provojnë të vijnë edhe një herë në Kosovë.
I njëjti burim i portalit ka konfirmuar se edhe betonimi i mbrëmshëm në barirkadën mbi Urën e Ibrit, është bërë me kamionët e Zvonko Veselinoviqit, dhe pa lejen dhe dijeninë e të të ashtuquajturit kryetar i Komunës së Mitrovicës, Kërstimir Pantiq. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 October 2011 12:01