Lajme Shqip Saturday, 01 October 2011 14:39

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se gjatë muajit tetor dhe nëntor do të ketë një ofensivë të re lobuese të diplomacisë së Kosovës te ato vende që e nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se në SHBA ka marrë premtime për njohje të reja.

“Takimet tona kanë përfshirë një gjeografi politike të vendeve të Afrikës, të Amerikës Latine, të Lindjes së Mesme, të shteteve islamike dhe të Azisë. Prej të gjitha këtyre vendeve kemi marrë gatishmëri që disa prej tyre, në një periudhë të ardhme, mund të marrin vendime të shpejta për njohjen e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka deklaruar se Ministria e Jashtme e Kosovës është në një proces shumë dinamik të zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike me vendet që e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke bërë me dije se tanimë ka filluar një analizë e detajuar se me cilat vende do të vendosen marrëdhëniet diplomatike gjatë muajve të ardhshëm.

Hoxhaj ka folur edhe për dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tërheqjen e delegacionit serb e ka vlerësuar si dëshmi tipike se politika serbe nuk ka ndryshuar në Ballkan për 20 vjetët e fundit.

Ai i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të përdorë një gjuhë dhe një qëndrim shumë më të ashpër ndaj sjelljes jokonstruktive që po praktikon Serbia në procesin e dialogut teknik.

Hoxhaj i ka mohuar zërat se ky dialog do të rrëshqas në dialog politik.

“Dialogu ka nisur teknik dhe do të mbetet i tillë. Çdokush tjetër që flet për diçka ndryshe, realisht nuk flet me gjuhën e fakteve”, ka thënë ministri Hoxhaj.