Tiranë – Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Edi Paloka, tha sot se maxhoranca është e hapur të bashkëpunojë me opozitën, por jo të negociojë kushte që marrin peng zhvillimet në vend, siç i cilësoi ai propozimet me dhjetë pika të kryetarit të opozitës, Edi Rama.
“Jemi gati të shqyrtojmë për çdo çështje që duket e nevojshme dhe e mundshme, por nuk mund të hyjmë në bisedime me kushte absurde si ato të Ramës”, u shpreh në një prononcim për mediat deputeti Paloka.
Sipas tij, Rama vazhdon të ketë filozofinë e një pengmarrësi njësoj si ata pengmarrës që rrëmbejnë fëmijën dhe kërkojnë para edhe Rama bën të njëjtën gjë veçse pengu në këtë rast është Shqipëria dhe ai ka marrë peng, sipas tij, integrimin e vendit. “Ne e kemi thënë se pazare të tilla ne nuk mund të bëjmë”, tha deputeti demokrat.
Për Palokën pikat e propozuara nga Rama synojnë që ai të ketë kontroll mbi disa institucione të rëndësishme kushtetuese, përfshi dhe Kreun e shtetit.
“Të gjitha pretendimet e Ramës më duket se kërkojnë që ai të ketë influencë mbi prokurorin e përgjithshëm, të vendosë kontrollin mbi KLSH-në, mbi guvernatorin dhe nesër, kur t’i vijë koha për zgjedhjen e Presidentit ai, në të njëjtën formë, do të kërkojë dhe konsensus për Kreun e shtetit. Por, këto janë kërkesa për pushtet, pushtet që nuk mund të vijë në këto forma, pasi pushteti merret me zgjedhje dhe nuk mund të vijë në tavolinë apo me pengmarrje”, u shpreh deputeti demokrat.
Friday, 30 September 2011 18:53