Sarandë – Një bombë aviacionit e Luftës së Dytë Botërore, 100 kg, u çaktivizua sot në një operacion që zgjati mbi 5 orë, nga palombarë të qendrës së Pashalimanit dhe ekspertë të demontimit.
Sipas komandantit të bazës së marinës në Sarandë, major Nasip Hoxha, bomba e Luftës së Dytë Botërore u zbulua dy muaj më parë nga anija amerikane “Herkules”, gjatë ekspeditës nënujore, 10 milje larg bregdetit Jon, pranë qytetit të Sarandës.
“Çaktivizimi i bombës u realizua përmes një operacioni që zgjati mbi 5 orë”, tha Hoxha, duke shtuar se bomba paraqiste rrezik, pasi ishte e pajisur me djegore dhe gjithë elementët e tjerë luftarakë. Ai saktësoi se bomba u nxor nga uji dhe u transportua në Gjirin e Kasolles, larg Sarandës.
“Transporti i bombës u realizua me jastëk ajri, ndërsa çaktivizimi u bë me plasje elektrike”, specifikoi Hoxha, ndërsa nënvizoi se “zhurma e shpërthimit është ndjerë në Sarandë dhe ka qenë e ngjashme me një tërmet, 4.5 ballë”.
Kjo bombë aviacioni nuk është e vetmja e mbetur për gati 70 vjet në gjendje të paplasur në bregdetin e Sarandës. Burime nga komanda e marinës në Sarandë, shprehen se akualisht janë edhe 1 ton predha të tjera, që i përkasin Luftës së Dytë Botërore, por të rrezikshme për vizitorët.
Friday, 30 September 2011 17:56