Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni dhe drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, duke shprehur vullnetin e bindjen për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të tyre.
Duke vlerësuar institucionet e Kosovës, që me pjekurinë dhe vizionin largpamës, edhe të udhëheqjes politike dhe të të gjithë shoqërisë, kanë inkurajuar frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim, Presidenti Topi vuri në pah se “përpjekjet pozitive e serioze të shtetit e qeverisë kosovare janë evidentuar kryesisht edhe gjatë procesit të tanishëm të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes dy vendeve, me synim funksionimin sa më mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara”.
Në këtë drejtim, Topi nënvizoi rolin e rëndësishëm të Kuvendit të Kosovës e të partive politike parlamentare, maturinë dhe bashkëpunimin mes palëve, pavarësisht mendimeve apo orientimeve të ndryshme politike, çka vlen si shembull për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërparlamentar për të realizuar synimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike.
Nga ana e tij, Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Punëve të Jashtme, vlerësuan lart kontributin personal e të efektshëm të Presidentit Topi dhe të institucioneve të Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Zoti Kurti dhe parlamentarët e tjerë të Kuvendit të Kosovës vunë në dukje njëkohësisht se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në ecurinë e reformave të saj për forcimin e shtetit, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.
Friday, 30 September 2011 12:01 