Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 10:52

Tiranë – Presidenti Bamir Topi ka hedhur poshtë aludimet se ai fshihet pas Aleancës Kuq e Zi, që drejtohet nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

Si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti tha se ka komunikuar me zotin Spahiu lidhur me drejtimin e kësaj lëvizje dhe përgjigja nga ana e tij, citoi Topi, ka qënë “vërtet jam nënkryetar i KLD-së, por jam dhe qytetar dhe verprimtarinë time në këtë lëvizje do ta realizoj në ditët e pushimit dhe jashtë orarit zyrtar”. I kam kërkuar zotit Spahiu, vijoi Presidenti, që të jetë brenda standardeve si nënkryetar i KLD.

Kreu i shtetit vuri në dukje se është aluduar shumë, madje mund të aludohet se pas kësaj fshihet Presidenti.

“Ju siguroj se nuk kam qenë, nuk jam dhe as nuk do të jem pjesë integrale e kësaj lëvizje që është sulmuar, anatemuar nga personazhe politike”, tha Topi, i cili u shpreh se “Aleancën Kuq e Zi” e ka konsideruar si një lëvizje vullnetare qytetare.

I pyetur për rikthimin e tij në politikë, pas përfundimit të mandatit në vitin 2012, Presidenti u përgjigj “natyrisht që po”.

“Prerazi dhe qartë unë i takoj së dhjathtës. Për të mërzitur edhe disa që mendojnë se kanë identifikuar diçka tjetër, u them se kjo është pjesë organike, gjenetike e të gjithë vlerave të mia”, tha Presidenti Topi.