Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 09:17

Tiranë – Presidenti Bamir Topi deklaroi të enjten në mbrëmje, në emisionin Top Story, se raportet e tij me kryetarin e opozitës, Edi Rama, janë marrëdhënie të karakterit shumë institucional.

“Kam pasur në mënyrë konstante marrëdhënie të karakterit shumë institucional dhe në detyrën si president takimet tona kanë qenë publike. Është në parimet e mia që çdo takim të jetë publik. Kështu që, sa herë jam takuar me Ramën takimet janë bërë publike”, tha Topi, duke nënvizuar se edhe nëse jam takuar me Ramën jo zyrtarisht kjo është njerëzore.

Presidenti komentoi për herë të parë dhe deklaratën në adresë të tij të Kryeministrit Berisha pas ngjarjeve të 21 janarit.

“Humbje kontrolli dhe një mungesë totale e etikës qytetare, që do të ishte e kritikueshme dhe për një qytetar të thjeshtë, pa pozicion. Kjo bëhet më e rëndë kur vjen nga një ish- koleg, nga njerëz me të cilët kemi ndarë aksione politike dhe shumë gjera të rëndësishme”, tha Presidenti Topi.

Presidenti tha se ka luajtur rolin e moderatorit për të qetësuar situatën pas 21 janarit, sikurse vlerësoi dhe rolin e ambasadorëve Aleksandër Arvizu, Etore Sequi dhe Eugen Wollfarth.

Ai foli dhe për korrupsionin në sistemin gjyqësor, ndërsa ka theksuar nevojën që ky sistem të rrisë performancën e tij. Presidenti u shpreh se kjo situtatë në sistemin e drejtësisë është dhe pasojë e mosfunksionimit normal të parlamentit, ku mjaft ligje kanë mbetur pa u votuar.

Topi shfrytëzoi rastin t’u bëjë apel palëve që të ulin tensonin, të vazhdojnë komunikimin, të prodhojnë ligje dhe stabilitet për Shqipërinë.

Presidenti e quajti një ngjarje shumë të rëndë atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.

Ai nuk pranoi të komentojë videopërgjimin ndaj ish-zv/kryeministrit Meta, pasi, siç u shpreh, është një çështje në hetim, ndërsa kritikoi tejzgjatjen e çështjes Gërdeci.