Tiranë – Gjobat ndaj prodhuesve të bukës në Vlorë ishin të ulëta për shkak të informalitetit të lartë në këtë treg. Lindita Milo, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, shpjegon se subjektet e regjistruara të bukës konkurrohen në mënyrë të pandershme nga prodhuesit informalë.
Për të mos i gjoditur rëndë prodhuesit që paguajën taksa, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të aplikojë një shumë simbolike gjobash. Autoriteti i Konkurrencës gjobiti 16 subjekte prodhuese të bukës në qytetin e Vlorës me 10 mijë lekë për fiksim të çmimeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të ndaluar, ndërsa katër subjekte të tjera u gjobitën me 20 mijë, sepse nuk kishin zbatuar masat e përkohshme të urdhëruara nga Autoriteti.
Por, nga ana tjetër, Autoriteti evidentoi se, tregu i prodhimit të bukës vuan një shkallë të lartë informaliteti dhe bizneset nuk lëshojnë rregullisht kuponin tatimor.
Tregu i prodhimit të bukës ka qënë vitet e fundit ndër më problematikët në kuptimin e shkeljes së konkurrencës. Në tre vitet e fundit Autoriteti ka konstatuar tre raste marërveshjesh të ndaluara, përkatësisht në qytetet e Fierit, të Korçës dhe së fundmi në Vlorë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 September 2011 18:50