Prishtinë – Disa organizata joqeveritare publikuan sot raportin e progresit në versionin kosovar, i cili reflekton pikëpamjen vendore mbi progresin në Kosovë.
Shoqëria civile publikoi raportin e vet të progresit, në pritje të atij zyrtar, të cilin do ta publikojë Komisioni Evropian, më 12 tetor. Ky raport përmban pikëpmajet e shoqërisë civile të Kosovës mbi fushat esenciale të qeverisjes shtetërore.
Besa Luci, nga Klubi për Politikë të Jashtme tha se raporti mbulon progresin politik, institucional dhe atë ekonomik. Mosekzistimi i raporteve kontraktuale me BE-në, tha Besa Luci, është pengesë kryesore që Kosova të mos jetë pjesë e shumë proceseve të rëndësishme integruese.
Driton Selmani, nga Insituti Demokratik i Kosovës, prezentoi vlerësimin e kësaj organizate për punën e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e re. Sipas KDI-së, zgjedhjet e fundit, të cilat ishin mjaft të kontestuara, kanë ndikuar negativisht edhe në punën e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, Florian Qehaja, nga qendra kosovare për studime të sigurisë, nënvizoi disa nga problemet në policinë e Kosovës, të cilat u nxorën në pah gjatë aksionit të 25 korrikut në Mitrovicë. Sipas tij, me tre autoblinda dhe probleme kadrovike, Policia e Kosovës nuk mund ta luftojë siç duhet krimin e organizuar apo të vendosë rendin dhe ligjin në veriun e vendit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 September 2011 15:11