Lajme Shqip Thursday, 29 September 2011 14:43

Shkup – Lëvizja Qytetare Zgjohu përmes një komunikate për shtyp, ftoi të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në veçanti shqiptarët, që masivisht të marrin pjesë në procesin e regjistrimit, i paraparë për t’u realizuar prej 1 deri më 15 tetor të vitit 2011.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se përveç rëndësisë tekniko-statistikore të regjistrimit, ky proces ka edhe pasoja politike lidhur me të drejtat e komuniteteve joshumicë në vend, të cilat rrjedhin nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit, si rrjedhjë e përfaqësimit të tyre kuantitativ”, thuhet në komunikatë.

Zgjohu thotë se qytetarët duhet të përgatisin dokumente valide, me të cilat do të regjistrohen para regjistruesve që kanë për detyrë t’iu trokasin në dyert e tyre, si dhe të njëjtën përgatitje do të duhet ta bëjnë edhe për anëtarët e familjeve të veta, të cilët nuk do të gjenden nëpër shtëpi gjatë ditëve të zhvillimit të regjistrimit. Me respektimin e institucioneve dhe akteve ligjore të vendit.

Sipas kësaj lëvizjeje, qytetarët njëkohësisht duhet ta tregojnë edhe nivelin e përgjegjësisë së tyre qytetare, duke përmbushur obligimin për t’u regjistruar, duke dhënë informata të sakta për veten dhe anëtarët e familjeve të veta.

“Me jehonë dhe kyçje masovike të qytetarëve shqiptarë në procesin e regjistrimit, si dhe me vetëdijësim të qytetarëve shqiptarë me punë të përkohshme jashtë vendit, do të jepet kontribut për përcaktimin e numrit të saktë të shqiptarëve në Maqedoni. Ky përcaktim do të mundësojë ndërtimin e strategjive për zhvillim të mëtejmë në të gjitha lëmitë e jetës, siç janë arsimi, kultura, zhvillimi ekonomik, përfaqësimi adekuat në institucione etj.”, thuhet më tej në komunikatë.

Lëvizja Qytetare Zgjohu edhe një herë rithekson rëndësinë strategjike dhe politike për zhvillim të regjistrimit të drejtë dhe të saktë të popullsisë dhe fton, në veçanti, mediat shqiptare që të kyçen me kapacitet të plotë në informimin dhe vetëdijësimin e qytetarëve për të siguruar mbarëvajtjen e procesit për kombin shqiptar në Maqedoni.