Lajme Shqip Thursday, 29 September 2011 14:40

Tiranë – Partia Socialiste ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë ligj që kërkon 3/5 pa u përmbushur më parë pakti i propozuar nga kreu i saj Edi Rama.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka paraqitur edhe njëherë të 10 pikat e propozuara nga opozita ndërsa ka shtuar se PS-ja është e gatshme të nisë dialogun duke filluar që nga komunikimi parlamentar

“Nëse qeveria e dëshiron votën tonë duhet të plotësojë propozimet tona sepse ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standartet europine. Nuk është detyrimi i opozitës ti votë ligjet vetëm se thotë kryeministri” ka theksuar Ruçi.

Ruçi gjithashtu theksoi se integrimi i parlamentit shqiptar si institucion dhe procedurë në kornizën e integrimit evropian të Shqipërisë është A-ja pa të cilën duhet harruar përgjigja pozitive e BE-së edhe sikur të arnohen gjitha kodet e depozituara nga qeveria në përpjekje për ti hedhur hi syve Brukselit.

“Harrojeni ta fajësoni opozitën për bllokimin kur ju e mbani peng parlamentin. Askush nuk mund të bëjë pjesën tonë në reformën zgjedhore ndaj ishim të parët që caktuam të dërguarit tanë për këtë proces. Paturpësisht thuhet se ska marrë përgjigje letra e kreut të grupit të mazhorancës për këtë reformë. Përfaqësuesit tanë po vazhdojnë dialogun për një marrëveshje parimesh. Këto janë detyrimet e opozitës e për këto opozita është shprehur publikisht”, u shpreh Ruçi

Gjithashtu kreu kuvendor socialist u ka kërkuar deputetëve të mazhorancës që në një seancë të posaçme parlamentare ta diskutojnë dh eta miratojnë paktin e opozitës që sipas tij do t`I jepte një shans të fundit marrjes së një sinjali pozitiv për marrjen e statusit kandidat.

“Ta kthejmë krizën në një shans ku opozita do të marrë përgjegjësinë e mosmarrjes së statusit kandidat të vitit të kaluar ndërsa qeveria përgjegjësinë e mosmarrjes së statusit këtij viti që është akoma më e rëndë” ka theksuar më tej Ruçi.

Përgjigja e Astrtit Patozit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi ka deklaruar se paketa e propozuar nga PS-ja është si pseudo-kauza e kutisë që u përdor nga kreu i saj për dy vjet për të mos ardhur në parlament.

“Na thuhet se kemi përpara 10 pika e pas plotësimit të tyre vjen begatia për shqiptarët. Nuk dua tu përgjigjem atyre pikë për pikë se nuk e kemi detyrim ti përgjigjemi editorialeve të Ramës. I ashtuquajturi pakt i Ramës është si pseudokauza e kutisë që u përdor dy vjet për të mos ardhur në parlament. Javën e kaluar jo rastësisht grupi i PS u kthye tek marrëdhënia e kushtëzuar me parlamentin”, u shpreh Patozi.

Sipas tij opozita kërkon të shpërblehet me copa pushteti duke lënë mënjanë përgjegjësinë për vonesat në integrim. “Kuvendi është i detyruar të shqyrtojë çdo nismë që vjen sipas ligjit në fuqi. PS ka dorëzuar deri tani vetëm kërkesë për ndryshim në rregullore. Integrimi nuk është i mazhorancës e me të nuk mund të bëhen pazare”, theksoi Patozi.

Më tej Patozi theksoi se javën e kaluar opozita humbi një shans për të treguar se do të shlyejë detyrimet e veta duke lënë pas politikat revolucionare. “ Erdhëm pa shpresë të gjenim ndonjë shkëndijë të kursit të ri të Edi Ramës. Nuk besoj se ka më shqiptar që të shpresojë në përrallën e ndryshimit të sjelljes së PS-së pas shpalljes së 10 pikave të Edi Ramës. Sot kryejmë një formalitet e konsumojmë një mundësi për të zbatuar rekomandimet e KE-së. Rama e tha vet me gojë një javë më parë se nuk do të ketë asnjë hap përpara të PS-së për reformat”, u shprehmë tej Patozi.