Tiranë- Presidenti, Bamir Topi, gjatë takimit me Kryetaren e Gjykatës së Lartë austriake, Irmgard Gris, vlerësoi pavarësinë e sistemit gjyqësor, si garanci për zbatimin korrekt e të drejtë të ligjeve.
Në një njoftim për shtyp të Presidencës bëhet e ditur se, Presidenti Topi theksoi rëndësinë që mbart sot vazhdimi i reformave legjislative e institucionale të të gjithë sistemit gjyqësor për t’u sinkronizuar me standardet më të mira evropiane.
Presidenti Topi, njëkohësisht në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u shpreh se, “ekziston kuadri ligjor cilësor, bashkëkohorë e në përputhje me standardet evropiane, por për të garantuar një drejtësi efektive nevojitet zbatimi i drejtë i këtyre ligjeve nga ana e një sistemi gjyqësor profesional, të paanshëm e të pavarur nga çdo lloj influence politike”.
Duke shprehur mirënjohjen për ndihmesën që Austria i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë viteve të zhvillimit të demokracisë, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e përfitimit të përvojave nga vendet e zhvilluara evropiane e me sisteme gjyqësore më të konsoliduara.
Në këtë drejtim, ai vlerësoi maksimalisht Misionin EURALIUS dhe punën e tij, në kuadër të përmbushjes së standardeve të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Austrisë, Irmgard Gris, siguroi mbështetjen e mëtejshme të institucioneve të shtetit austriak, kryesisht për të gjithë sistemin gjyqësor, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes organizatave dhe institucioneve të ndryshme të drejtësisë në drejtim të marrjes së përvojës së vyer dhe rritjes së efektshmërisë, cilësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve.
Duke shprehur përshtypjet e saj për reformat gjyqësore që po zbatohen në Shqipëri, të cilat duhet të vazhdojnë si një proces afatgjatë dhe i rëndësishëm, zonja Gris vuri në dukje se, “një sistem gjyqësor vërtet i pavarur nga ndikimet politike ose ekonomike nuk ka vetëm miq”.
Sipas saj “sistemi gjyqësor luan një rol të rëndësishëm në përmbushjen e aspiratave integruese të vendit dhe përsosja e vazhdueshme e tij do të rriste edhe prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Austrisë, Irmgard Grisshoqërohej në kuadër të vizitës në vendin tonë nga Zëvendëskryetari i kësaj Gjykate, Roland Rohrer dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Austrisë, Florian Raunig. Në takim ishte e pranishme edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.
Thursday, 29 September 2011 13:44