New York – Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara herët në mëngjes përfunduan konsultimet për situatën në veri të Kosovës, pas incidentit në vendkalimin Jarinjë në të cilin u lënduan shtatë serbë dhe katër ushtarë të KFOR-it, merr vesh Tanjugu nga Sekretariati i KB-së.
Në konsultimet e mbajtura prapa dyerve të mbyllura është përsëritur qëndrimi i mëparshëm i shteteve të Perëndimit se problemet në veriun e Kosovës mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Seanca u thirr me kërkesë të Rusisë, e cila të martën shprehu brengë për shkak të dhunës mbi popullatën serbe duke ju bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it në mënyrë strikte t’i përmbahen parimit të neutralitetit.
Shtetet anëtare të KS-së vlerësojnë se situata në veriun e Kosovës është nën kontroll, dhe se KFOR-i e EULEX-i veprojnë sipas mandatit të besuar nga OKB-ja.
Njëherësh, SHBA-ja dje e dënoi sulmin e serbëve mbi pjesëtarët e KFOR-it në veri të Kosovës dhe ju bëri thirrje palëve që ta ruajnë qetësinë, ndërsa Prishtina dhe Beogradi ta vazhdojnë dialogun.
Thursday, 29 September 2011 11:52