Prishtinë- Kryesuesi i radhës së OSBE-së, njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Azubalis, shprehu sot keqardhjen për incidentet e dhunshme në veri të Kosovës dhe bëri thirrje për vazhdim të dialogut.

Misioni i OSBE në Kosovë bëri të ditur se, Azubalis, bën thirrje për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë si rrugë përpara në zgjidhjen e çështjeve të veçanta.
“Shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që ndodhën dje në veri të Kosovës dhe e përsëris thirrjen time për përmbajtje nga dhuna duke i’u bashkuar thirrjeve të udhëheqësve politikë dhe të komuniteteve për qetësi”, thekson Azubalis.
Dialogu, u shpreh ai, është mënyra e vetme që çon përpara. Bisedimet Beograd – Prishtinë janë një forum ku mund të merren hapa konkretë për të mirën e gjithë komuniteteve. OSBE është e përkushtuar që të mbështet një mjedis stabël dhe të sigurt dhe ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Thursday, 29 September 2011 11:29