Lajme Shqip Thursday, 29 September 2011 11:25

Mitrovicë – Strukturat paralele serbe i kanë kthyer sërish dhe i kanë fuqizuar famëkëqinjtë e veriut, Rojat e Urës. Ata i kanë vendosur të bëjnë roje në barrikadat afër Urës së Ibrit dhe në udhëkryqin te shkolla teknike, në Lagjen e Boshnjakëve. Roja do të bëhet 24 orë gjatë 365 ditëve, kanë bërë të ditur burime të portalit nga veriu i Kosovës.

Po sipas burimeve, ky veprim ka pasuar thyerjen që po ndodhë në raportin midis qytetarëve serbë të veriut dhe strukturave paralele serbe. Qytetarët serbë, në zhvillimet e fundit nuk janë treguar të dëgjueshëm dhe përfillës të kërkesave dhe qasjes së atyre që po udhëheqin me strukturat paralele në veri të Kosovës.

Të vetëdijshëm për këtë, strukturat paralele e kanë zgjedhur metodën e ruajtjes së barrikadave të krijuara, përmes rikthimit të Rojave.

Shumica atyre që përbëjnë strukturën e rojave serbe në veri, kërkohen nga drejtësia, për shkak të veprimtarisë së tyre kriminale dhe të kundërligjshme, në të kaluarën, gjë për të cilën ka raportuar në vazhdimësi Portali Lajmeshqip.com, me publikimin e shumë dokumenteve dhe të dhënave për biografitë dhe veprimtaritë e tyre.

Vendimi i strukturave paralele serbe të veriut, vjen në të njëjtën kohë, kur në veri qëndruan politikanë radikalë nga Beogradi, përfaqësues të strukturave të MUP-it dhe të të ashtuquajturës Mrojtjes Civilele serbe, e cila përfaqëson ushtrinë e Serbisë, si dhe figura si Nënkryetari i partisë së Koshtunicës, Slobodan Samarxhiq, kreu Mbrotjtjes Civile, Radoslav Janiqijeviq dhe sot kreu i radikalëve të Serbisë, Tomisllav Nikoliq e shumë të tjerë, zhvillime për të cilat portali ka raportuar në vazhdimësi. (LajmeShqip.com)