Lajme Shqip Thursday, 29 September 2011 10:44

Tiranë – Ministria e Jashtme shqiptare deklaron se po ndjekë me shqetësim të veçantë dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe në veri të Kosovës, dhe së fundmi, kundër trupave të KFOR-it në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës.

“MPJ mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj dhe vendosjen e rendit e ligjit në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”- thuhet në një njoftim për shtyp të ministrisë së Jashtme.

Deklarata nënvizon se “dhuna kundër trupave të KFOR-it, deklaratat destruktive, si dhe bllokimi i bisedimeve teknike Kosovë-Serbi në Bruksel nuk janë rruga e duhur për të ecur drejt stabilitetit dhe integrimit europian.”

Ministria e Jashtme e mbyll deklaratën duke bërë thirrje Serbisë të zbërthejë strukturat paralele në veri të Kosovës.

“Zbërthimin e strukturave paralele të bandave kriminale, prodhues të destabilitetit dhe pasigurisë në këtë pjesë të Ballkanit është një detyrë dhe përgjegjësi e qartë e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së.-perfundon deklarata e ministrisë sonë të Jashtme.