Prishtinë – BE dhe SHBA refuzuan kërkesën e Serbisë që çështja e pikave doganore të diskutohet në dialog, kanë njoftuar burimet zyrtare të delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Bruksel.
Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zv/kryeministrja, Edita Tahiri, zhvilloi një takim të veçantë me Robert Cooper, ndërmjetës i BE-së për dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, dhe Philip Reeker, ndihmës kryesor i nënsekretarit të SHBA-ve.
Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve njoftuan delegacionin e Kosovës për bisedat e zhvilluara me përfaqësuesin e palës serbe, Stefanoviq, si dhe për refuzimin kategorik të kërkesës së Serbisë për të përfshirë në axhendën e dialogut çështjen e pikave doganore.
Po ashtu, ata siguruan se BE-ja dhe SHBA-ja mbështesin fuqishëm Qeverinë e Kosovës për vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor në pjesën veriore të vendit, si dhe përgëzuan zbatimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë.
Vendosja e rendit dhe ligjit dhe konsolidimi i sovranitetit shtetëror në tërë territorin e Kosovës është e drejtë sovrane dhe kushtetuese e institucioneve të Kosovës dhe në dobi të qytetarëve, u tha në këtë takim.
Nga ana e saj, zv/kryeministrja, Edita Tahiri, siguroi partnerët evropianë dhe amerikanë se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për realizimin e vizionit euro-atlantik për shtetin e Kosovës dhe për mbrojtjen e interesave nacionale të vendit.
Në këtë takim u konstatua se ky raund i dialogut u anulua për fajin e palës serbe, e cila u tërhoq nga dialogu pas dështimit për të imponuar bisedat për çështjen e pikave doganore, duke shkelur më këtë rast obligimet e marra nga Rezoluta e AP të OKB-së për dialogun dhe parimet evropiane.
Thursday, 29 September 2011 08:46