Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 21:45

Prishtinë – Në një operacion të gjerë policor, Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK), e përkrahur edhe nga Njësitet Speciale Operative dhe sektorë tjerë të specializuar për krimet kompjuterike, arrestoi 17 të dyshuar dhe kontrolloi 35 lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, ka bërë të ditur policia e Kosovës. 

Sipas kumtesës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të enjten ka realizuar një operacion të gjerë, duke zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Komunale Prishtinë për kontrollimin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse të disa personave të dyshuar. 

Policia e Kosovës ka ndërmarrë këtë operacion me dyshimin e bazuar se persona të dyshuar kanë kryer veprën penale krime kibernetike që sanksionohet me ligjin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë – ligji nr. 03/1-166 neni 4, veprimet e pa autorizuara, neni 10 interceptimi pa autorizim dhe neni 11 transfer i pa autorizuar. 

Po të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale shmangie nga tatimi neni 249 par. 1 i KPK-së dhe veprën penale Mashtrim nga neni 261 par. 1. 

Gjatë këtij operacioni, i cili është zhvilluar në rajonet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren Pejë dhe Mitrovicë, policia ka kontrolluar 35 lokacione, me ç‘rast janë arrestuar Leonard T. 1992, Gazmend M. 1976, Agron S. 1978, Kadri S.,1979, Agim R. 1970, Burim Q. 1966, Bajram H.1972, Besnik G. 1987, Bashkim S.1979, Florin B. 1973, Arbnor G. 1990, Milot R. 1987, Misin B. 1978, Kadri G. 1986, Ylli Zeka 1973, Bajram K. 1987, Ideal M. 1978. 

Po ashtu, policia ka konfiskuar edhe aparatura të ndryshme elektronike në cilësi të provave materiale si 28 shtëpiza të kompjuterëve, dy kompjuter llap-top, 84 dream box, 13 resiverë (marrës të sinjalit televiziv), 10 telefona celularë, lista të klientëve, si dhe materiale të ndryshme që mund të përdoren si dëshmi. 

Në bazë të procedurës preliminare hetimore dyshohet se personat e dyshuar kanë arritur që përmes serverëve të veçantë të bëjnë shpërndarjen e kanaleve televizive te klientë në mënyrë të paautorizuar duke përfituar nga ky veprim i kundërligjshëm dhe duke dëmtuar kompanitë e licencuara për një gjë të tillë si dhe buxhetin e Republikës së Kosovës. 

Personave të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, përfundon kumtesa e Plicisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)