Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 19:32

Tetovë – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në selinë e partisë në Tetovë ka realizuar takim pune me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni, Skender Durmishi.

Ahmeti, siç thuhet në kumtesën e Kabinetit të tij, shprehu kënaqësinë për vizitën e Durmishit dhe e informoi atë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, duke përfshirë edhe çështjen e emrit, miratimet e ndryshimeve në ligjet për përdorimin e simboleve kombëtare dhe përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe interpretimin autentik të Ligjit për Amnesti.

Lideri i BDI-së njëkohësisht njoftoi bashkëbiseduesin e tij rreth procesit të regjistrimit të popullësisë, duke theksuar rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje të madhe institucionale për të gjithë qytetarët e vendit. Ahmeti me këtë rast u angazhua për evitim të politizimit të procesit nga ana e të gjithë palëve të përfshira në proces dhe respektim të përpiktë të Ligjit për Regjistrim të popullësisë dhe i ftoi të gjithë kapacitetet shoqërore, përfshirë institucionet, politikanët, shoqërinë civile dhe mediat që të angazhohen në mbarëvajtjen e këtij procesi jetik.

Lidhur me marrëdhëniet me Kosovën, Ahmeti shprehu bindjen se ato do të thellohen edhe më tej, duke frymëzuar bashkëpunim edhe më të thellë midis dy vendeve.

“Hapërimi i përbashkët drejt integrimeve euroatlantike duhet të fillojë nëpërmjet lehtësimit të komunikimit institucional dhe ekonomik midis Kosovës dhe Maqedonisë që mund të arrihet me avancimin e proekteve infrastrukturore që do të lidhin Prishtinën me Shkupin edhe më tepër”, tha Ahmeti.

Ai në të njëjtën kohë ka dënuar incidentin e djeshëm dhe sulmin ndaj forcave të KFOR-it dhe EULEKS-it në veriun e Kosovës, duke apeluar për përmbajtje dhe respektim të sundimit të ligjit dhe të së drejtës në gjithë territorin e Kosovës.

“Përpjekjet për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës janë të destinuara të dështojnë dhe koha e trazirave në Ballkanin veriperendimor është tejkaluar dhe duhet të zëvendësohet me përpjekje të përbashkëta për ta integruar rajonin sa më parë në NATO dhe BE”, tha Ahmeti.

Ambasadori Durmishi falënderoi Ahmetin për gjithë angazhimin institucional të Bashkimit Demokratik për Integrim në mirëmbajtjen e marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe ekonomike midis Kosovës dhe Maqedonisë, përshëndeti përparimin me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shprehu përkrahjen e plotë për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

“Bashkëpunimi midis dy vendeve është i shkëlqyer dhe po zhvillohet në të gjitha sektoret në interes të qytetarëve tanë. Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë të dobishme për të dy vendet, por edhe për gjithë rajonin”, tha Durmishi.

Ahmeti dhe Durmishi pas takimit iu përgigjën pyetjeve të gazetarëve.