Tiranë – Gjykata e Tiranës ka rrëzuar sot kërkesën e njërit prej të pandehurve të çështjes “Gërdeci” për ndryshimin e trupit gjykues.
Në një seancë të zhvilluar sot, kjo Gjykatë vendosi të rrëzojë si të pabazë kërkesën e të pandehurit Lavdi Shatro, për shkarkimin e trupit gjykues të çështjes “Gërdeci”, me pretendimin se ishte i njëanshëm.
Procesi per çështjen “Gërdeci”, pas një maratone seancash, më në fund i është drejtuar fundit. Në 3 tetor të këtij viti prokuroria pritet të japë konkluzionet për 29 të pandehurit e procesit, në pjesën më të madhe ish funksionarë të lartë të ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë. Me pas Gjykata do të shpallë venimin për çështjen.
Të pandehurit në këtë proces akuzohen se janë përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, ku si pasojë e një shpërthimi në ish fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humben jetën 26 persona, ndersa u plagosën dhjetra të tjerë.
Wednesday, 28 September 2011 17:28