Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 15:42

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi ka rikonfirmuar të mërkurën qëndrimin e ekzekutivit se nuk do të ketë kthim prapa në raport me situatën në veri.

Thaçi  në mbledhjen e qeverisë premtoi se në veri të vendit do të mbisundoi rendi dhe ligji , ndërkohë që sipas tij shumë shpejtë do të hiqen nga rrugët të gjitha barrikadat e vëna nga serbët e asaj pjese.

Kreu i qeverisë ka dënuar dhunën dhe sulmet e ekstremistëve serbë ndaj KFOR-it dhe EULEX-i. Ai ka ftuar qytetarët serbë të asaj pjese të tregojnë vullnetin më të mirë, për bashkëpunim, integrim, dhe për ndërtimin e Kosovës së re të përbashkët.

Kryeministri Hashim Thaçi gjithashtu tha se tha se Prishtina mbetet e përkushtuar për vazhdimin dialogut me Serbinë në Bruksel, ndërkohë që ka fajësuar Beogradin zyrtar për neglizhencë dhe përpjekje për t’i dëmtuar bisedimet teknike.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka njoftuar kabinetin e tij qeveritar për vizitën që kishte në SHBA dhe OKB bashkë me presidenten Atifete Jahjaga. Ai theksoi se në të gjitha takimet që ka pasur është rikonfirmuar mbështetja për Kosovën por edhe për integrimin e saj dhe në një të ardhme të bëhet edhe pjesë e OKB-së.