Lajme Shqip Tuesday, 27 September 2011 10:53

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pas vizitës në New York, se delegacioni shqiptar plotësoi më së miri synimet që i kishte vënë vetes përpara vizitës në sesionin e 66 të OKB-s, ku morën pjesë krerët e shteteve dhe të qeverive të të gjitha vendeve të botës.

“Kishim disa detyra, ku së pari ishte veprimtaria intensive politike, për të paraqitur para zyrtarëve më të lartë të botës, Shqipërinë, arritjet, përpjekjet dhe vizionin e saj. Kishim synim për të lobuar me të gjithë potencialin e mundshëm për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Drejtim themelor i veprimtarisë në New York ishte organizimi i forumit të parë amerikan për biznesin në Shqipëri në kryeqytetin botëror të biznesit, si dhe në këtë kontekst, takime intensive me drejtues kryesorë të korporatave të SHBA në fusha si turizëm, miniera, hi-tech etj. Drejtim kryesor ishte dhe përdorimi i mundësive që të jep kryeqyteti medatik i botës për të paraqitur arritjet e Shqipërisë, përpjekjet e saj përpara publikut amerikan”, tha Berisha.

Berisha e vuri theksin në vlerësimet që i bënë Shqipërisë krerët e vendeve të ndryshme të botës, që nga presidenti i SHBA-së, Barck Obama, i cili pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë, tek kryeministri japonez, presidenti i  Brazilit, kryeministri i Hungarisë, Kancelari i Austrisë, presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Kryeministri i  Norvegjisë, ai i Malit të Zi, kryeministri i Luksemburgut, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Holandës, Belgjikës. Sipas Berishës, një takim mbresëlënës ishte ai me Krytarin e Këshillit Tranzitor të Libisë.

Berisha i cilësoi si momente kulmore dy pritjet e organizuara nga Presidenti amerikan Obama, e para për të lançuar partneritetin për qeveri të hapur, ku merrnin pjesë kryetarë shtetesh të rreth 70 vendeve të botës që ishin anëtarësur në këtë nismë të rëndësishme.