Lajme Shqip Tuesday, 27 September 2011 10:47

Tiranë – Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 9-të të grevës së urisë, në pritje që ACR të largojë nga detyra drejtorin e minierës, Medat Zogun, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet gjithnjë e më shumë.

Këtë, Kreu i Përfaqësisë së minatorëve, Luan Nika, i cili më tej pasqyroi dhe gjendjen e grevistëve. “Sali Alliu, 44 vjeç, pritet të largohet nga greva pas komplikacioneve që ka pasur gjatë natës”, bëri me dije Nika.

Sipas tij, “Alliu refuzon largimin nga greva, por gjendja e tij shëndetësore nuk premton, prandaj nga momenti në moment mund të vendoset për largimin e tij”. Nika nënvizoi se minatorët do të vijojnë grevën deri në realizimin e kërkesës së fundit të parashtruar prej tyre.

“Ne kemi vullnetin e plotë për të vijuar protestën deri në largimin e drejtorit të minierës”, tha Nika, duke njoftuar se gjatë ditës së sotme, përfaqësia e minatorëve do të zhvillojë një tubim në qendër të qytetit të Bulqizës për të kërkuar plotësimin e kërkesës së fundit të minatorëve për largimin e drejtorit të minierës, Medat Zogu.

Ndërkaq, firma ACR ka deklaruar se ka pranuar tashmë të gjitha kërkesat e ligjshme të minatorëve, duke e konsideruar largimin e drejtorit të minierës, kompetencë të kompanisë e jo të nëpunësve të saj.