Bruksel (PLOTËSUAR 11:33) – Sot në Bruksel vazhdon raundi i shtatë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në agjendë të bisedimeve do të jenë telekomunikacioni, energjia elektrike, bashkëpunimi rajonal dhe ngecjet e implementimit të marrëveshjeve të arritura.
Ndërkohë kryenegociatori serb do të ketë një takim me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar lidhur me pikat kufitare Bërrnjakë dhe Jarinjë.
Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve, e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, të cilën Qevria e Kosovës po e zbaton që nga 16 shtatori.
Ajo ka kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Kuper që të bëhet një vlerësim zyrtar për çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve, pra të vlerësohen përformancat e te dy palëve gjatë gjithë procesit të dialogut. Qeveria e Kosovës, po ashtu, ka kërkuar që konstruktiviteti i saj, i dëshmuar gjatë gjithë bisedimeve, të reflektojë në progresin e Kosovës drejt integrimit në BE.
Ndërkaq, shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se në Bruksel do të diskutohet çështja e pikave kufitare veriore në Jarinjë dhe Bërrnjakë. Ai ka thënë se ky takim do të mbahet vetëm më ndërmjetësit ndërkombëtarë, duke ironizuar se Prishtina nuk është kompetente për një gjë të tillë.
Mediat serbe shkruajnë se takimin e ekipit negociator serb me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombtar për vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërrnjakë e ka konfirmuar edhe Brukseli.
Sipas tyre, ky ishte kushti që delegacioni serb të shkojë sot në bisedime me Prishtinën, derisa vets kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviq do të bisedojë për këtë temë me ndërmjetësin Robert Kuper dhe funksionarin e Departamentit të Shtetit, Filip Riker. Në anën tjetër, zv/kryeministri Hajredin Kuçi ka hedhur poshtë mundësinë e diskutimit të pikave doganore të veriut në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
“Temat që do të diskutohen tanimë janë të përcaktuara, sikurse që janë të përcaktuara temat që nuk do të mund të diskutohen asnjëherë dhe pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe organizimit të brendshëm juridik dhe kushtetues”, tha Kuçi.
****************************
Bruksel – Në Bruksel sot nis raundi i ri dyditor i dialogut midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së.
Burime pranë delegacionit kosovar kanë deklaruar se ende nuk është e sigurt nëse bisedimet që do të zgjasin dy ditë, do të zhvillohen siç ishte parashikuar.
Pala serbe, në veçanti kryenegociatori Borisllav Stefanoviq, ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Raportohet se në këtë raund bisedimesh është planifikuar të diskutohet për bashkëpunimin rajonal.
Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, deklaroi se midis temave që do të trajtohen këtë here, do të jenë edhe telekomunikacioni e energjia.
Megjithatë, Tahiri theksoi se do të preket edhe vonesa e zbatimit të pesë marrëveshjeve të arritura në raundet e mëparshme.
“Ne si qeveri do të shtrojmë çështjen e moszbatimit të marrëveshjes për tregtinë e lirë dhe atë të vulave doganore”, deklaroi Tahiri.
Ajo shtoi se, bisedimet do vazhdojnë deri në momentin kur Bashkimi Evropian të shterojë të gjitha mjetet diplomatike për të bërë presion ndaj Beogradit për zbatimin e pakteve.
Raundi i fundit mes palëve ka qenë ai i dy shtatorit në Bruksel, ku u arritën dy marrëveshje, ajo për vulat dhe doganat, si dhe ajo për regjistrin kadastral.
Marrëveshjet në fjalë u cilësuan si shumë të rëndësishme nga Prishtina zyrtare. Vetë Tahiri deklaroi se me këto pakte shteti serb ka pranuar pavarësinë e Kosovës në fushën e doganave.
Tuesday, 27 September 2011 08:31