Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 16:59

Tiranë – Ligji për faljen e detyrimeve dhe rivlerësimin e kapitaleve ofron, veç të tjerash edhe mundësinë që qytetarët të rivlerësojnë edhe pasurinë e tyre të paluajtshme, duke paguar një taksë prej 1%.

Sipas ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, çdo qytetar që tregton një pronë paguan si taksë 10% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes. Për apartamentet që janë privatizuar në fillim të viteve ‘90 apo për ato që janë blerë herët, kjo pagesë do të rezultonte shumë e lartë. Për shembull, një apartament është privatizuar në vitin 1991 me një vlerë 50 mijë lekë.

Sot vlera e tregut të këtij apartamenti është 7 milionë lekë. Në rast se e shet apartamentin për 7 milionë lekë, pronari sot duhet të paguajë 10% të kësaj diference, ose rreth 695 mijë lekë. Në rast se zgjedh ta rivlerësojë sot pronën, qytetari do t’i paguajë shtetit 69.500 lekë ose 10 herë më pak.

Dhe nëse pas rivlerësimit qytetari e shet pronën me vlerën aktuale të tregut, nuk i paguan asnjë detyrim shtetit, sepse diferenca mes çmimit të rivlerësuar dhe atij të shitjes është 0. (LajmeShqip.com)