Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 15:59

Tiranë – Shqipëria është mbrapa në shërbimet me linja fikse. Veronica Bocarova, eksperte e “Cullen International”, kompani e specializuar për studimin e tregjeve të telekomunikacionit, thotë se masat rregullatore të autoriteteve shqiptare duhet të lehtësojnë dhe të nxisin konkurrencën në shërbimet përmes linjave fikse, siç është interneti me brez të gjerë. Sipas të dhënave të “Cullen International”, Shqipëria ka penetrimin më të ulët të linjave fikse në rajon, me 3.5%.

“Zhvillim pozitiv është dhënia e licencës së dytë 3G, sepse i hap rrugë konkurrencës për shërbimet e transmetimit të të dhënave. Gjithashtu, hap pozitv ka qënë zbatimi i portabilitetit të numrit në Maj 2011, si edhe ulja e mëtejshme e tarifave të terminimit të operatorëve celularë, çka do t’i bëjë çmimet e telefonisë celulare në Shqipëri akoma më kompetitivedhe më të leverdisshme për përdoruesit. Ndoshta më shumë është për t’u bërë në shërbimet me linja fikse. Për të stimuluar konkurrencën mund të zbatohen shërbime të reja si, zgjedhja apo parazgjedhja e bartësit apo masa të tjera që do të nxisnin konkurrencës, në përfitim të konsumatorëve. Besoj që masa të tilla janë në planet e Autoritetit Rregullator, megjithatë për momentin mendoj se linjat fikse dhe zhvillimi i konkurrencës në linjat fikse janë drejtimi ku Shqipëria ka më shumë për të bërë,” thotë Bocarova.

Kompania “Cullen International” prezantoi sot rezultatet e para të Projektit të Monitorimit për komunikimet elektronike dhe shoqërisë së informacionit. Projekti është një iniciativë që financohet nga Bashkimi Europian dhe synon që të ndihmojë autoritetet në vendet kandidate dhe potencial-kandidate në monitorimin e progresit të bërë nga secili prej tyre drejt përputhjes me rregullat e BE-së për komunikimet elektronike dhe shërbimet e shoqërisë së informacionit.  (LajmeShqip.com)